Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, ka kritikuar ashpër mënyrën e organizimit dhe mbikëqyrjes së punës në KEK, pas vdekjes së katërt të një punëtori brenda kësaj korporate.
Bajraktari ka thënë se numri i rasteve fatale është i papranueshëm dhe se përgjegjësia duhet të kërkohet si nga menaxhmenti i korporatës, ashtu edhe nga institucionet shtetërore që kanë për detyrë mbikëqyrjen e sigurisë në punë. ‘Të ndodhë e katërta vdekje në një Korporatë si KEK-u, kjo është vërtetë e tepërt.
Kjo është komplet dështim i organizimit të punës brenda vet Koroporatës, me gjithë atë numër të madhë të punëtorëve dhe me një rrezikshmëri shumë të lartë dhe të mos merren masat fare,’ ka deklaruar ai.
Sipas tij, duke pasur parasysh numrin e madh të punëtorëve dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë në këtë sektor, duhet të ndërmerren masa konkrete për parandalimin e aksidenteve. ‘Unë mendoj që këtu duhet vetë shteti që sot të merrte një masë dhe të dëgjonte shteti se çfarë ka ndodhur.
Deri kur më me këto vdekje dhe me këto parregullësi?’ është shprehur ai.
Eksperti ka ngritur pikëpyetje edhe për mbikëqyrjen institucionale, duke thënë se nuk ka informacion se kur Inspektorati i Punës ka kryer kontrolle në KEK. ‘Mungon organizimi i punës, trajnimi i punëtorëve, pajisjet e punës dhe ato mbrojtëse për punë.
Kjo do të thotë se është një neglizhencë, ka dështuar komplet sistemi i punës,’ ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka kërkuar që të hetohen përgjegjësitë për respektimin e masave të sigurisë dhe të ndërmerren masa konkrete për të parandaluar raste të tjera tragjike në vendin e punës. ‘Mos respektimi i masave të sigurisë në vendet e punës kjo vërtet nuk ka asnjë koment.
Nuk e di a i vret ndërgjegjja këta njerëz.
Mbikëqyrësit e punimeve në këtë kompani dhe të njëjtit kohë edhe mbikëqyrësit nga ana e shtetit Inspektorati, nuk kemi asnjë informatë se kur është vizituar KEK-u nga Inspektorati i Punës…mungon organizimi i punës, trajnimi i punëtorëve, pajisjet e punës dhe ato mbrojtëse për punë, kjo do të thotë se është një neglizhencë, ka dështuar komplet sistemi i punës,’ ka thënë Bajraktari.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





