Pas lajmit për vdekjen e Jake Hall kanë dalë detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike në Mallorca.
Mediat britanike raportojnë se 35-vjeçari u gjet në një vilë me qira me lëndime të rënda në kokë, ndërsa policia e gjeti të shtrirë në një pellg.
Sipas informacioneve të para, plagët mund të jenë shkaktuar nga kontakti me xham, dhe hetuesit po e trajtojnë rastin si një aksident tragjik, duke dyshuar se Hall ka goditur kokën në derën e xhamit.
Nisur me këtë, në një nga intervistat e tij të fundit, të dhënë vitin e kaluar, Hall kishte folur hapur për një periudhë të vështirë në jetën e tij dhe rolin vendimtar të vajzës së tij.
Ai tregoi se kishte qenë ‘në pikën më të ulët’ pasi humbi diçka që e kishte ndërtuar për vite, duke iu referuar dështimit të markës së tij të modës Prevu. ‘Sinqerisht, River është arsyeja pse jam sot këtu… gjithçka që bëj, e bëj për të dhe për të ardhmen e saj,’ kishte thënë ai.
Në atë kohë, Hall po punonte për rikthimin në biznes me një markë të re, ‘By Jake Hall’ dhe deklaronte se kishte motivim për të vazhduar, madje planifikonte të zgjerohej edhe në veshje për femra dhe parfume.
Ai kishte përmendur se disa prej krijimeve të tij janë veshur edhe nga emra të njohur si David Beckham, Edward Enninful dhe Erling Haaland.
Hall u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2015 në ‘TOWIE’, ku u komentua edhe lidhja e tij me Chloe Lewis.
Ai lë pas vajzën River, të cilën e kishte me Misse Beqiri.
