Deputeti i Aleancës Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij do t’i shqyrtojë veprimet politike në ditët dhe javët e ardhshme, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Tahiri tha se grupi parlamentar i Aleancës do të mblidhet për të diskutuar qasjen e mëtejshme të partisë, duke lënë të hapur mundësinë për veprime të reja politike. ‘Dëgjoni, ne si grup do të kemi një takim, grupi parlamentar.
Do të shohim për veprimet tona politike si Aleancë.
Për sa i përket veprimit politik, kjo do të shqyrtohet, do ta diskutojmë se si do t’i qasemi, kësaj teme.
Por kjo na detyron neve që të reflektojmë respektivisht, t’i mendojmë çka dhe si do të sillemi në ditët e javët e ardhshme,’ tha ai.
Tahiri tha se Aleanca ka qenë ndër partitë e para që ka ofruar mbështetje për tejkalimin e bllokadës institucionale, përfshirë votimin e presidentit pa kushte, ndërsa theksoi se kjo parti nuk dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë. ‘E dini që Aleanca, partia e parë që ka reflektuar në një situatë politike bukur, të paqartë dhe ka ofruar mbështetjen e Aleancës për të dalë nga bllokada, respektivisht votimin e presidentit pa asnjë kusht për këtë çështje. Është deklaruar hapur në publik që ne nuk jemi, nuk dëshirojmë të jemi pjesë e qeverisë, mirëpo do të ndihmojmë konstituimin e organeve të Kosovës.
Dhe do ta ndihmojmë përmes disa pikave, respektivisht kërkesave të cilat kur i shikon, i lexon, të gjitha janë të mira për Kosovën, të gjitha janë të realizueshme.
Unë mendoj që këtu nuk ka krizë kushtetuese, ka krizë politike,’ tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





