Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të dëmshme për vendin dhe duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë përgjegjësie.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Tahiri tha se afatet kushtetuese tashmë kanë kaluar dhe se qytetarët kanë pritur që institucionet të funksionalizohen. ‘Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, të moskonstituimit të Kuvendit.
Ka kaluar afati kushtetues dhe sot, kur qytetarët është dashur të presin që institucionet të konstituohen, që Kuvendi të jetë funksional dhe të zgjidhet kryetari, del Albin Kurti dhe u thotë qytetarëve se na duhet ende kohë’, deklaroi Tahiri.
Ai kritikoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, duke thënë se ka pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar konsultime me partitë politike, veçanërisht për çështjen e presidentit. ‘A pate more burrë 30 ditë kohë me diskutu me partitë?
Nëse qëllimi ka qenë për të dalë nga ky rreth dhe për të pasur një vizion dyvjeçar, pse nuk është folur me partitë për presidentin?
Nyja kryesore është te presidenti’, tha ai.
Sipas Tahirit, zvarritja e procesit rrezikon të prodhojë krizë të re institucionale dhe përplasje të tjera kushtetuese. ‘A po don me krijua edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese?
Kjo është papërgjegjësi totale e VV-së’, u shpreh ai.
Tahiri akuzoi gjithashtu Vetëvendosjen se po e përdor vonesën si strategji për përfitime politike. ‘Këto janë taktika për të bërë pazare politike, për të blerë pak kohë, në mënyrë që t’i marrë të tria institucionet’, deklaroi Tahiri.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





