Biznesmeni Ramiz Kelmendi thërret për përgatitje strategjike të Kosovës për pasojat e mundshme të përshkallëzimit të luftës

Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje që Kosova të përgatitet në mënyrë strategjike për pasojat e mundshme në rast të përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme, duke kërkuar që shteti të sigurojë rezerva të naftës dhe ushqime strategjike.

Ai në Rubikon të Klan Kosovës tha se zhvillimet e tilla nuk duhen parë si çështje të largëta, pasi pasojat e tyre mund të përhapen shpejt dhe të godasin edhe rajonin. ‘Kjo s’është lojë.

Nëse nis një luftë që mund të shpërndahet si radiacion, duhet të përgatitemi,’ tha Kelmendi.


- Advertisement -

Duke kujtuar krizën globale të vitit 1973, ai tha se situata të tilla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në furnizim dhe në funksionimin normal të tregut. ‘Unë e mbaj mend, në vitin 1973 lëvizja me makina ka qenë me numër çift e tek, s’ka pasur kërkesa dhe tregu ka qenë i zbrazët,’ u shpreh ai.

Kelmendi theksoi se Kosova duhet të mendojë për rezerva shtetërore të naftës, duke parë edhe gjendjen në vendet e rajonit. ‘Nëse shohim shtetet për rreth, Mali i Zi s’ka karburant, Shqipëria ka disa rezerva, Serbia ka, Greqia s’ka.

Kosova duhet t’i ketë rezervat e naftës,’ tha ai.

Sipas tij, përgatitja nuk duhet të shihet si përpjekje për të frikësuar qytetarët, por si nevojë për planifikim strategjik nga ana e institucioneve. ‘S’po them me e frigu popullin, por duhet të përgatitemi strategjikisht, me pasur ushqime strategjike të plota, në mënyrë që ato të mund të shpenzohen kurdo,’ deklaroi Kelmendi.

Ai i bëri thirrje qeverisë që t’i dëgjojë këto paralajmërime dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të rritur sigurinë e furnizimit në rast të thellimit të krizave ndërkombëtare.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *