Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës

Kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president.

Sejdiu ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes VV-së dhe LDK-së.


- Advertisement -

Por, gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja deklaruan se nuk do të votojnë për Sejdiun.

Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se pas një procesi të gjatë të bisedimeve, dy partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për President të Kosovës. “Këtë e konsideroj si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën duke qenë i vetëdijshëm për krizën institucionale nëpër të cilën po kalon vendi dhe me synimin që të kontribuojë në zhbllokimin e saj. “Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka theksuar se nuk ka pasur ambicie për poste publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale, duke thënë se motivi kryesor për ta pranuar kandidaturën ishte shërbimi ndaj vendit. “Motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Sejdiu ka thënë se mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet e brendshme politike e kanë shtyrë atë të tërhiqet nga gara. “Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sejdiu.

Ai ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar më herët përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Sejdiu ka falënderuar gjithashtu kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i është dhënë gjatë ditëve të fundit. “Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional”, ka deklaruar ai Në fund, Sejdiu u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale dhe të shmangin thellimin e polarizimit politik. “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka theksuar se Kosova është “shtëpia e përbashkët” e qytetarëve dhe se shërbimi ndaj saj duhet të jetë mbi interesat individuale dhe partiake. “Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.

Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, ka përfunduar Sejdiu.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *