Një auditim i performancës që ka trajtuar sigurinë e digave në Kosovë, investimet publike dhe sistemet e monitorimit, vazhdon të mos bëhet publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ndonëse vetë institucioni konfirmon se ai është përfunduar në nivel profesional.
Kiks Kosova ka mësuar se auditimi në Kosovë është realizuar paralelisht me një auditim homolog në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri.
Autoritetet shqiptare e kanë publikuar raportin pa e trajtuar si dokument të klasifikuar, ndryshe nga Kosova.
ZKA ende nuk e ka publikuar raportin, duke u arsyetuar se dokumenti ndodhet në procedura të brendshme të kontrollit të cilësisë.
Lëvizja FOL dhe Instituti Kosovar për Drejtësi kanë ngritur dyshime mbi bazën ligjore të mos publikimit, duke theksuar se një auditim që trajton investime publike dhe sigurinë e infrastrukturës kritike nuk do të duhej të mbahej jashtë publikut.






