Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës të realizohet sa më shpejt, duke e cilësuar këtë proces si një çështje emergjente për vendin.
Në një postim të saj, Nagavci theksoi nevojën për stabilitet institucional dhe për institucione me mandat të plotë. “Sot Kosovës i duhet Presidenti.
Vendi ynë ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe institucione me mandat të plotë”, shkruan ajo.
Ajo e lidh zgjedhjen e Presidentit me zhvillimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e së vërtetës për luftën e UÇK-së. “Në një kohë kur mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së kërkon veprim të koordinuar juridik, politik dhe diplomatik, Republika ka nevojë për përfaqësim të fuqishëm dhe institucione funksionale”, thekson Nagavci.
Ajo ka bërë thirrje që procesi i zgjedhjes së Presidentit të mos shtyhet më tej. “Për këtë, na duhet t’ia japim vendit Presidentin sot.
Një President i zgjedhur do t’i sillte Kosovës stabilitet dhe siguri institucionale.
Kjo vendimmarrje nuk mund të shtyhet më tej”, ka deklaruar ajo.
Nagavci gjithashtu theksoi se përgjegjësia për këtë vendimmarrje është para institucioneve dhe deputetëve. “Kjo përgjegjësi është sot para nesh”, përfundon ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





