Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ka pritur në takim Vasfije Krasniqi Goodman, Ramadan Nishorin dhe përfaqësuese të organizatave Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ndërsa u diskutua për sfidat dhe nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për rolin që organizatat kanë luajtur ndër vite në mbështetjen e tyre.
Haxhiu vlerësoi kontributin e organizatave që kanë ofruar mbështetje psikologjike, ligjore dhe dokumentuese për të mbijetuarit.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për hapat që institucionet duhet të ndërmarrin për ta bërë më të lehtë dhe më dinjitoz procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarve.
Sipas Haxhiut, temat kryesore të diskutimit kanë qenë rishikimi i afateve për aplikim, lirimi nga taksat gjyqësore, krijimi i një hapësire më të qasshme për Komisionin e Verifikimit dhe garantimi i një procesi verifikimi që respekton dinjitetin e të mbijetuarve.
Ajo shtoi se masat e propozuara do të ndihmonin në ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më human dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






