Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë, në 26-vjetorin e ngjarjeve të 19 prillit 1999.
Kurti ka bërë homazhe në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit, ku forcat e armatosura serbe vranë 20 civilë të pafajshëm, të cilët më pas u varrosën në një varrezë masive.
Ai ka kujtuar përmes një postimi në Facebook, gjithashtu edhe grupin e intelektualëve të Mitrovicës, duke theksuar se 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut u rrëmbyen dhe u zhdukën në Dreth të Zubin Potokut nga forcat serbe gjatë luftës.
Kurti ka theksuar se, pavarësisht mohimeve të krimeve të luftës, Serbia vazhdon të mos zbatojë obligimet ndërkombëtare, duke mos zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë dhe duke ua mohuar familjeve të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë. ‘Krahas mohimit të krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon të shkelë detyrimet e saj ndërkombëtare duke ua mohuar familjeve të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë, duke mos zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Ne nderojmë sot e gjithmonë, çdo jetë të dhënë për lirinë e Kosovës dhe qëndrojmë pranë familjarëve, duke ruajtur kujtesën dhe duke kërkuar drejtësi.
Sakrifica për liri mbetet udhërrëfyese për të çuar përpara Republikën e Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi!’, shkroi Kurti.
