Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për gjykata normale, e jo për gjykata speciale. ‘Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë.
Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale,’ ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë. ‘Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë, e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë… Në vend se të kemi gjykata normale kemi një gjykatë speciale, e cila i vonon vendimet.
Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së,’ ka shtuar Kurti.
