Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë me të cilën, sipas tij, po përballen prodhuesit e qumështit në këtë komunë.
Përmes një reagimi publik, Tahiri tha se fermerët ndodhen në situatën më të vështirë të viteve të fundit, duke akuzuar Komunën e Vushtrrisë se nuk ka realizuar premtimin për subvencionimin e qumështit me 7 centë për litër.
Ai publikoi edhe rastin e një fermeri, i cili, sipas tij, është detyruar ta derdhë qumështin në lumin Silnicë, pasi qumështorja ku e dorëzonte prodhimin ka ndërprerë aktivitetin. “Prodhuesit e qumështit në Vushtrri janë në gjendjen më të vështirë ndër vite.
Komuna nuk po e paguan subvencionin prej 7 centësh për litër, ashtu siç u premtoi në fushatë.
Ky fermer sot është detyruar ta derdhë qumështin në lumin Silnicë, sepse qumështorja ku e ka dorëzuar qumështin është mbyllur”, deklaroi Tahiri.
Në fund të reagimit të tij, ai bëri thirrje për mbështetje institucionale ndaj fermerëve, duke theksuar se prodhuesit vendorë të qumështit kanë nevojë për veprime konkrete. “Kjo gjendje duhet të ndryshojë.
Prodhuesit vendorë të qumështit meritojnë mbështetje institucionale” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





