Autorët e krimit që u krye në mars të vitit 1998 mbi familjen Jashari, pritet që së shpejti të listohen në një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb.
Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka ndarë shumë detaje rreth kësaj, por vetëm ka paralajmëruar se ky rast është duke u trajtuar me prioritet dhe se së shpejti do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.
Avokati Visar Rrecaj thotë se PSRK-ja tashmë ka marr dëshmitë e dëshmitarëve që janë ende gjallë, ndërkohë që thotë se është e rëndësishme përmbajtja që do ketë kjo aktakuzë. “Rëndësia e një aktakuze të paraljamëruar nga Prokuroria Speciale është tejet e vecantë si në aspektin juridik po ashtu edhe kombëtar dhe në aspektin shtetëror që me i dhënë epilog ngjarjes së familjes Jashari të ndodhur më 1998, a është e vonuar për atë pjesë mund të diskutohet por për drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë e rëndësishme është që të jetë e kompletuar në detaje që të mos i mungojë asgjë sepse epilogu përfundimtar do të proklamohet edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë avokati, Visar Rrecaj.
Paralajmërimin për ngritjen e aktakuzës, për sulmin ndaj familjes Jashari e kanë mirëpritur në organizatën e veteranëve të UÇK-së, por thonë se është dashur të bëhet vite më parë.
Hetimi i krimeve të luftës, në të kaluarën është bërë nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i, ndërsa nga vitit 2018 kompetencat kanë kaluar tek Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka departamentin e veçantë për hetimin e tyre.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info





