Inspektorati i Mjedisit ka organizuar të enjten një aksion përgjatë lumit Drini i Bardhë, ku ka identifikuar disa operatorë ekonomikë që dyshohet se po kryenin eksploatim të paligjshëm të zhavorit.
Gjatë këtij aksioni, janë sekuestruar gjashtë ekskavatorë në komunat e Prizrenit, Pejës dhe Rahovecit.
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, njoftoi se ky aksion është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe në të gjitha mjetet janë vendosur shiritat zyrtarë për ndalimin e punimeve.
Në një postim të saj, Pacolli theksoi se institucionet do të marrin masa ndaj çdo veprimtarie që dëmton pasuritë natyrore. “Lumenjtë tanë nuk janë pronë e askujt për t’i shfrytëzuar kundërligjshëm. Çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet dhe çdo veprim që dëmton pasuritë tona natyrore do të përballet me ligjin”, theksoi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




