Anëtarësimi në NATO vazhdon të mbetet një nga objektivat kryesore strategjike të Kosovës, megjithatë, rruga drejt kësaj Aleance është e ndikuar nga një sërë faktorësh politikë dhe ushtarakë.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë përparime të dukshme në modernizimin e armatimit, edukimin ushtarak dhe përgatitjen profesionale, duke dëshmuar gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë kolektive.
Megjithatë, përveç kapaciteteve ushtarake, rruga drejt NATO-s është e lidhur ngushtë me vendimmarrjen dhe mbështetje politike nga vendet anëtare.
Anëtarësimi në NATO për Kosovën është shumë më tepër se një objektiv politik; është një orientim strategjik që ka të bëjë me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Për të arritur këtë qëllim, Kosova duhet të tregojë se është e përgatitur në të gjitha nivelet, nga funksionimi institucional deri te aftësitë mbrojtëse.
Në këtë kontekst, është kushtuar vëmendje e veçantë zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes modernizimit të armatimit, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe përgatitjes profesionale të anëtarëve, me qëllim përafrimin me doktrinën dhe standardet e Aleancës Veri-Atlantike.
Kryeministri Albin Kurti ka rikonfirmuar se integrimi në NATO mbetet një synim i qartë për Kosovën, duke theksuar se anëtarësimi do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë, si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Evropë.
Një nga dëshmitë më konkrete të përgatitjes së Kosovës është transformimi dhe zhvillimi i FSK-së.
Anëtarët e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes vlerësojnë se Forca ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, veçanërisht në edukimin ushtarak, pajisjen me armatim dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s. “FSK dhe ushtarakët e saj sot kanë kaluar të gjitha testet që janë të gatshëm për të qenë pjesë e Aleancës, duke filluar nga edukimi, i cili është mbi standardet e NATO-s, dhe pajisjet, FSK sot nuk blen armatime nëse ato nuk janë standard të NATO-s.
Këto janë disa kapacitete që kërkohen.
Nëse e shohim rrugën e integrimit në NATO, ky proces ka qenë i planifikuar për tejkalimin e shteteve të lindjes në veriperëndimore, dhe FSK dhe Kosova janë në rrugë të mirë në këtë proces”, tha Ilir Qeriqi, anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Megjithatë, gatishmëria e një ushtrie nuk nënkupton automatikisht anëtarësim në NATO.
Për Kosovën, përveç zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, mbështetja politike mbetet gjithashtu vendimtare.
Këtë e theksojnë edhe anëtarë të tjerë të Komisionit për Siguri. “Integrimi në NATO është një proces që nuk varet vetëm nga FSK, sepse NATO është një organizatë politiko-ushtarake.
Sikur të ishte vetëm çështje e FSK-së dhe progresit të saj, ndoshta do të ishim tani pjesë e NATO-s, krahasuar me shumë ushtri të rajonit që tashmë janë anëtare, por është edhe një çështje politike”, tha Fadil Hadergjonaj, anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Përveç zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, Kosova dhe pjesëtarët e FSK-së kanë treguar gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë kolektive, në përputhje me misionin dhe vlerat e NATO-s.
Kjo është dëshmuar edhe përmes pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare të sigurisë dhe paqeruajtjes, duke bashkëpunuar me partnerët perëndimorë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




