Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pranuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po has vështirësi dhe vonesa.
Ai e ka theksuar jostabilitetin institucional dhe problemet në komunikimin ndërinstitucional si arsye kryesore për këto pengesa.
Gashani, gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës, shprehu shqetësimin se periudha dyvjeçare e jostabilitetit ka pasur ndikim negativ në përgatitjet për këtë ngjarje të madhe sportive. “Kemi vështirësi sepse ka pasur jo-stabilitet dhe ai dy vjeçar ka shkaktuar edhe vonesa dhe vështirësi edhe në Lojërat Mesdhetare.
Që t’i përmendim vetëm disa nga ato, 15 muaj Ligji për Lojërat Mesdhetare nuk është aprovuar dhe sapo kemi marrë mandatin, me dinamikë shumë të shpejtë kemi proceduar e pastaj ka derivuar edhe formimi i Komitetit Organizativ dhe po vazhdojmë me intensitet të plotë”, ka deklaruar ai.
Ministri gjithashtu përmendi se vështirësitë nuk lidhen vetëm me komunikimin ndërmjet institucioneve vendore, por edhe me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Ai e theksoi se ekzistojnë mospajtime dhe fërkime të brendshme, të cilat, sipas tij, nuk është e dobishme të diskutohen publikisht, përveç mungesës së një qeverie të plotë si një nga faktorët që kanë ndikuar në këtë proces. “Natyrisht që kemi vështirësi sepse vështirësi kemi edhe me komunikim ndërinstitucional por edhe me komunikim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare që është ICMG.
Ku është vështirësia kryesore me ICMG-n, por poashtu edhe me institucionet tona.
Ka shumë, edhe komunikimet e fërkimet e brendshme dhe mospajtimet e brendshme nuk është mirë të dalin ne publik sepse nuk ndihmojnë”, tha Gashani.
Një tjetër shqetësim i tij lidhet me përfshirjen gjeografike të Kosovës në organizimin e Lojërave Mesdhetare, parim që sipas tij është vendosur të mos respektohet gjatë vitit 2025. “Gjatë vitit 2025 është vendosur që njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ të shkelet.
Cili është ai?
Njëri nga parimet bazë të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ është përfshirja gjeografike, përfshirja e krejt Kosovës”, theksoi ai.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me Kosovën nikoqire për herë të parë.
Organizimi i tyre parasheh përfshirjen e disa qyteteve të vendit, ndërsa një prej projekteve kryesore infrastrukturore është ndërtimi i Qendrës Nacionale të Notit në Prishtinë.
Përgatitjet për këtë ngjarje janë përcjellë me shqetësime rreth dinamikës së realizimit të projekteve, koordinimit institucional dhe përmbushjes së obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).




