Komisioni i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka shpallur vendimet disiplinore për xhiron e tetë të Superligës, ku klube dhe basketbollistë janë ndëshkuar me gjoba financiare dhe masa të tjera.
Në total, dënimet arrijnë në shumën prej 3 mijë e 50 eurosh, me fokus të veçantë te incidentet që ndodhën në ndeshjet KB Peja – KB Prishtina dhe KB Golden Eagle Ylli – KB Bashkimi.
Dënimin më të rëndë e ka marrë KB Peja, e cila është gjobitur me 1,000 euro për mangësi në organizimin e ndeshjes ndaj Prishtinës dhe hedhjen e mjeteve piroteknike.
Një petardë kishte goditur në shpinë një pjesëtare të stafit të skuadrës mysafire.
Kjo gjobë është shqiptuar në përputhje me nenin 51.16 të Propozicioneve të Garave.
Basketbollisti i Prishtinës, Malcolm Armstead, gjithashtu ka marrë ndëshkim, duke u gjobitur me 400 euro dhe duke u suspenduar për një ndeshje për provokimet ndaj tifozëve vendas në çerekun e katërt të takimit, sipas informatorit të ndeshjes.
Masa është marrë sipas nenit 52.10.
Ndërkohë, KB Golden Eagle Ylli është gjobitur me 700 euro për incidentet në ndeshjen ndaj KB Bashkimi.
Ndeshja u karakterizua nga ndezja e mjeteve piroteknike, konkretisht tymuesve, nga tifozët vendas, që tensionoi situatën dhe detyroi ekipet të tërhiqeshin në dhomat e zhveshjes.
Komisioni i Garave ka ndëshkuar gjithashtu disa basketbollistë të të dy skuadrave për sjellje josportive dhe simulime.
Nga Golden Eagle Ylli, Artin Gashi dhe Khalil Shabazz janë gjobitur me nga 100 euro, ndërsa Connor Withers dhe LaQuincy Rideau me nga 50 euro.
Nga Bashkimi, Adrio Bailey dhe Valmir Kakruki janë ndëshkuar me nga 100 euro, kurse Shannon Shorter me 50 euro.
KB Vëllaznimi gjithashtu ka marrë gjobë prej 400 eurosh, në përputhje me nenin 50.17 të Rregullores së Garave.




