Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka pranuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ po has vështirësi dhe vonesa, të cilat, sipas tij, janë shkaktuar nga jostabiliteti institucional dhe problemet në komunikimin ndërinstitucional.
Gashani ka theksuar se një nga pengesat kryesore ka qenë mosmiratimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare për 16 muaj.
Ai ka shtuar se pas marrjes së mandatit, ministria ka përshpejtuar procedurat dhe po punon me intensitet të plotë. “16 muaj ligji për Lojërat Mesdhetare nuk është aprovuar dhe sapo kemi marrë mandatin kemi proceduar me dinamikë të shpejtë dhe po vazhdojmë me intensitet të plotë.
Por, më duhet të kthehem prapë te shqetësimi, natyrisht që kemi vështirësi, sepse kemi vështirësi edhe me komunikimin ndërinstitucional, por edhe me komunitetin ndërkombëtar,” ka deklaruar Gashani.
Ai gjithashtu ka përmendur mungesën e një qeverie të plotë gjatë vitit 2025, duke theksuar se kjo ka cenuar një nga parimet bazë të organizimit të Lojërave Mesdhetare, që është përfshirja gjeografike e të gjitha pjesëve të Kosovës. “Disa prej vështirësive janë në mungesë të një qeverie të plotë gjatë vitit 2025. Është vendosur që njëri nga parimet bazë për Lojërat Mesdhetare të shkelet, që është përfshirja gjeografike, përfshirja e gjithë Kosovës,” ka thënë ai.
Megjithatë, Gashani ka siguruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është në rrezik, pavarësisht sfidave dhe vonesave me të cilat po përballen institucionet. “Lojërat Mesdhetare nuk janë duke u rrezikuar, por ka vështirësi,” ka theksuar ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




