Aktorja amerikane, Irma P.
Hall, e cila është bërë e njohur për rolet e saj në filmat “Soul Food” dhe “The Ladykillers”, ka ndërruar jetë të martën në Dallas, në moshën 91-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga familja e saj, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.
Hall u bë veçanërisht e njohur për publikun me rolin e Big Mama në filmin “Soul Food” (1997), një personazh që simbolizonte forcën dhe bashkimin e familjes.
Kjo paraqitje i solli asaj çmimin NAACP Image Award, ndërsa më vonë e përsëriti rolin edhe në serialin televiziv të bazuar në film.
Një tjetër paraqitje e rëndësishme ishte ajo në komedinë “The Ladykillers” (2004), ku luajti përkrah Tom Hanks.
Për interpretimin e Marva Munson, ajo u nderua me çmimin e jurisë në Festivalin e Filmit në Kanë.
Gjatë karrierës së saj, Hall mori pjesë në produksione të njohura si “A Family Thing”, “Midnight in the Garden of Good and Evil”, “Beloved”, “Patch Adams”, “Collateral” dhe “Meet the Browns”.
Një rol të rëndësishëm në kinematografi ajo fitoi vetëm në moshën 60-vjeçare, në filmin “A Family Thing”, ku interpretoi një grua të verbër, këshillat e së cilës ndihmonin dy gjysmëvëllezërit e luajtur nga James Earl Jones dhe Robert Duvall.
Përpara se t’i përkushtohej plotësisht aktrimit, Hall kishte punuar për më shumë se dy dekada si mësuese e gjuhës angleze dhe gjuhëve të huaja në shkollat publike të Dallasit.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




