Manchester Unitedi ka bërë përpjekje të mëdha për ta mbajtur në skuadër talentin e ri, JJ Gabriel, por duket se sulmuesi anglez ka vendosur të kalojë te Real Madridi.
Sipas The Sun, drejtuesit e klubit anglez kanë shkuar deri aty sa t’i ofrojnë familjes së futbollistit një lozhë VIP në stadiumin e ri, në përpjekje për ta bindur atë të mos largohet në afatin kalimtar të janarit 2027.
Përveç rinovimit të kontratës dhe mundësive për t’u përfshirë në ekipin e parë, Unitedi i kishte ofruar Gabrielit edhe fanellën me numrin 77, duke shqyrtuar po ashtu ndërtimin e një strategjie komerciale rreth imazhit të tij.
Klubi anglez, i cili po ndërton një stadium të ri me kapacitet rreth 100 mijë ulësesh, shpresonte se këto oferta do ta bindnin talentin e akademisë së tij dhe familjen e tij të qëndronin në Manchester.
Megjithatë, përpjekjet nuk patën sukses.
Dallimet mbi zhvillimin e tij sportiv e detyruan Gabrielin të kërkonte largimin që në muajin shtator, pak javë para se të mbushte 16 vjet.
Një nga premtimet e Manchester Unitedit ishte mundësia që sulmuesi të ftohej për ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Brightonit më 16 shtator, gjë që klubi ia prezantoi babait të lojtarit, Joe O’Cearuill, por futbollisti kishte shprehur tashmë dëshirën për t’u larguar.
Një tjetër arsye për pakënaqësinë e rrethit të tij ishte mungesa e përfshirjes në listën kryesore të klubit për Ligën e Kampionëve.
Gabrieli konsiderohet një nga talente më premtuese të akademisë së Manchester Unitedit, pasi kishte shënuar tre gola në debutimin e tij në UEFA Youth League ndaj Sabahut dhe ishte shpallur futbollisti më i mirë i Ligës Premier U-18 sezonin e kaluar.
Në anën tjetër, Real Madridi duket se po ecën drejt sigurimit të shërbimeve të talentit anglez.
Sipas raportimeve të BBC Sport dhe Sky Sports të datës 4 nëntor, klubi madrilen ka arritur një marrëveshje verbale me përfaqësuesit e futbollistit për transferimin e mundshëm në janar të vitit 2027.
Gabrieli nuk është stërvitur me Manchester Unitedin që nga shtatori dhe aktualisht po përgatit hapin e radhës në karrierën e tij, me Spanjën si destinacion të mundshëm.
Plani i Real Madridit është që ai të zhvillohet fillimisht në ekipin Castilla, përpara se të synojë një vend në ekipin e parë.
Për Manchester Unitedin, largimi i tij mund të ketë pasoja financiare.
Sipas vlerësimeve të publikuara në Angli, klubi mund të përfitojë vetëm rreth 400 mijë euro si kompensim në rast se futbollisti transferohet jashtë vendit.
Megjithatë, transferimi ende nuk është përfunduar dhe duhet të kalojë nëpër disa procedura të rëndësishme.
Pavarësisht se Gabrieli ka dokumentacionin e një shtetasi të Bashkimit Evropian, kalimi i tij ndërkombëtar duhet të jetë në përputhje me rregulloret e FIFA-s për transferimin e futbollistëve të mitur.
Ndërkohë, Real Madridi ende nuk ka zhvilluar negociata zyrtare me Manchester Unitedin, ndërsa klubi anglez po shqyrton mundësinë e ndjekjes së rrugës ligjore nëse konstatohet ndonjë parregullsi në këtë proces.




