Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka diskutuar për situatën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 gjatë mbledhjes së 17-të të Bordit Ekzekutiv. Është konfirmuar se rreziku i humbjes së organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive vazhdon të ekzistojë.
Sipas njoftimit të KOK-ut, mbledhja e udhëhequr nga presidenti Ismet Krasniqi përfshiu diskutime rreth takimit të fundit të Komitetit Organizativ (OCMG) dhe letrave të pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Bordi Ekzekutiv është informuar se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së.
Në këtë takim, OCMG-ja pritet të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, dy të Komunës së Prishtinës, si dhe dy të KOK-ut.




