Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Sipas KDI-së, kjo situatë po cenon mbikëqyrjen parlamentare dhe llogaridhënien e institucioneve publike, sidomos në një kohë kur ka raportime për mosfunksionimin e organit kolegjial të Autoritetit të Konkurrencës që nga prilli i vitit 2025.
KDI-ja bën të ditur se çështja u ngrit në mbledhjen e Komisionit më 20 tetor, kur raportimi i kryetares së Autoritetit, Neime Binaku-Isufi, ishte planifikuar për 27 tetor.
Megjithatë, ajo njoftoi se nuk mund të merrte pjesë dhe raportimi u shty.
As mbledhja e 3 nëntorit nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




