Kombëtarja e Kosovës ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, përballë Izraelit dhe Irlandës.
Dardanët realizuan stërvitjen e parë në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, ku morën pjesë 15 futbollistë.
Në mesin e tyre ishte edhe Enis Rexhepi i Stuttgartit, i cili zhvilloi seancën e tij të parë stërvitore me Kombëtaren.
Ndërkohë, Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus iu bashkuan ekipit sot në Kosovë, duke u vënë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këtë periudhë përgatitore për dy sfidat e rëndësishme.
Pjesa tjetër e futbollistëve kreu një seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit, ndërsa atmosfera në kamp raportohet të jetë shumë e mirë.
Ekipi ka nisur punën me përkushtim për t’u përgatitur sa më mirë për këto dy përballje të rëndësishme që do të zhvillohen në nëntor.
Fillimisht, Kosova do të ndeshet me Izraelin të shtunën në Prishtinë, në një ndeshje që ka rëndësi të veçantë për renditjen në Grupin B3.




