temp image 713 temp image 713

PDK: Rëndësia e Dialogut për Miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

- Advertisement -

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një intervistë shprehu besimin se përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve parlamentare do të arrijmë pajtueshmërinë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ajo nënvizon rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional për mbrojtjen e të drejtave të krerëve të UÇK-së dhe të vërtetës së luftës çlirimtare.

Në këtë frymë, Çitaku shprehu gatishmërinë e PDK-së për të vazhduar diskutimet me të gjitha partitë politike dhe akterë të tjerë relevantë, duke e cilësuar këtë angazhim si një përgjegjësi shtetërore që kërkon bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët. “Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën.

Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës dhe në diasporë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji.

Përkundrazi.

Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën.

Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,” tha Çitaku.

Për takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimin e tyre aktual, Çitaku u shpreh se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të kësaj partie. “Kemi pasur disa takime dhe nuk kemi asnjë dallim për përmbajtjen e ligjit.

Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri.

Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, duke e ditur se miratimi i tij nuk e përmbush detyrimin tonë për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Do të ndërmarrim një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës do të vijnë me koordinimin brenda grupit strategjik për të siguruar që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës,” tha ajo.

Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit britanik për respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, Çitaku theksoi se iniciativa e PDK-së dhe ligji i miratuar më parë në Kuvend nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë. “Iniciativa e PDK-së dhe ligji, i cili mori rreth 90 vota, nuk duhet të kuptohen si ndërhyrje.

Kjo është një përpjekje serioze për të kthyer në binarë të drejtë një proces të deformuar në Gjykatën e Hagës.

Ne synojmë që procesin ta kthejmë në binarë të drejtë dhe jemi të hapur për bashkëbisedim me aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse kriminalizimi i luftës çlirimtare kriminalizon edhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 1999,” u shpreh ajo.

Sa i përket qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte shprehur kundërshtime ndaj ligjit, Çitaku vuri në dukje se LDK-ja kishte pasur një qëndrim të ndarë, por vlerësoi mbështetjen e saj për deklaratën politike dhe pjesëmarrjen në grupin strategjik. “LDK-ja ka mbështetur deklaratën politike që i ka paraprirë ligjit, dhe ky ka qenë vendimi i parë politik që kemi marrë pas aktgjykimit të padrejtë në Hagë,” tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, më 22 tetor ka vendosur ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ajo ka theksuar sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka rikujtuar mbështetjen për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj disa krerëve të UÇK-së.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -