temp image 717 temp image 717

Miratimi i Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës: Fokus në Barazinë Gjinore dhe Kualitetin Profesional

- Advertisement -

Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë lidhur me propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, që është miratuar.

Ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, gjatë raportimit para këtij komisioni, iu përgjigj pyetjeve të kryesuesit Enver Hoxhaj rreth përzgjedhjes së 15 anëtarëve të propozuar, përfaqësimit gjinor, kriteret profesionale dhe përkatësinë politike të kandidatëve. Çeku shpjegoi se gjatë procesit të nominimit, pas thirrjes publike, lista fillestare kishte një dominim të kandidatëve burra.

Ai kërkoi nga institutet që të reflektonin në mënyrë që të sigurohej një përfaqësim më të balancuar gjinor. “Lista e nominimeve, e pranuar pas thirrjes publike, dominohej nga kandidatë burra, dhe unë kam kërkuar mirëkuptim, sidomos nga institutet që janë pjesë e Ministrisë së Arsimit, që të reflektojnë në mënyrë që në përbërjen përfundimtare të Këshillit Kombëtar të Shkencës të kemi një përfaqësim të balancuar gjinor,” tha ai.

Ministri theksoi se kërkesa për përfshirjen e më shumë grave kishte për qëllim respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore dhe promovimin e grave shkencëtare. “Pra, kjo ka qenë arsyeja pse nga institutet tona sidomos kanë pasur mirëkuptim, sepse të gjithë kishin propozuar kandidatë burra, dhe duke qenë e vetëdijshme që ka shumë gra në këto institute, kam kërkuar që të reflektojnë dhe të na ndihmojnë të respektojmë ligjin e barazisë gjinore,” shtoi ai. Çeku njoftoi se në shumicën e rasteve kanë hasur në mirëkuptim nga institutet, përfshirë Institutin e Historisë, Albanologjik dhe Pedagogjik, të cilat u kërkuan të propozojnë gra kandidate. “Në pjesën më të madhe të rasteve kemi pasur mirëkuptim, prandaj edhe kemi vazhduar me propozime.

Unë mendoj që të gjithë emrat, e sidomos gratë në këtë listë, janë shumë të denja dhe të afta për ta kryer punën si duhet,” tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi përkatësinë politike të kandidatëve, Çeku theksoi se kjo nuk duhet të ndikojë në vlerësimin e tyre profesional. “Në lidhje me, qoftë përkatësinë, ose afërsinë, ose mbështetje politike, unë besoj që në këtë përbërje ka studiues të aftë për ta kryer punën e tyre.

Por nëse gjurmojmë, disa emra mund të kenë mbështetje për parti të tjera, por nuk besoj se kjo e zbeh profilin dhe përgatitjen e këtyre individëve,” tha ai.

Ministri është pyetur edhe për kandidatët pa tituj shkencorë të doktoratës.

Ai sqaroi se gjatë vlerësimit të tyre është marrë parasysh aktiviteti shkencor dhe publikues. “Jemi kujdesur që të shikojmë aktivitetin e tyre shkencor dhe publikues, prandaj, aty ku mungon doktoratura ose është marrë rishtazi, kemi parë aktivitetin publikues shkencor të tyre,” theksoi Çeku.

Ai gjithashtu foli për përfaqësimin e kolegjeve private, duke thënë se kanë pasur shumë pak nominime nga këto institucione. “Kemi pasur shumë pak nominime nga kolegjet private, dhe për shkak të afërsisë me profile që veç i kemi pasur të identifikuara, këtë radhë kemi shkuar pa ndonjë emër nga kolegjet private,” tha ministri.

Sa i përket përfaqësimit të industrisë në Këshillin Kombëtar të Shkencës, Çeku vlerësoi se kjo nuk është pjesë e formulës aktuale, por mund të shqyrtohet në të ardhmen. “Dhe përfaqësimi nga industria mendoj se nuk është pjesë e formulës e Këshillit të Arsimit, por ndoshta mund të mendohet si një opsion për vlerat e radhës,” përfundoi ai.

Anëtarët e propozuar të Këshillit Kombëtar të Shkencës janë: Aliriza Arënliu – Psikologji, Arbnora Dushi – Folkloristikë, Armond Daci – Farmakologji, Arven Syla – Energjetikë, Besnik Krasniqi – Ekonomi dhe Ndërmarrësi, Emine Kalaja-Hajdari – Histori, Fetah Podvorica – Elektrokimi, Ibrahim Krasniqi – Ekonomi dhe Menaxhim, Majlinda Bregasi – Gjuhësi, Mentor Alishani – Veterinari, Mihone Kerolli-Mustafa – Inxhinieri Mjedisore, Mimoza Ibrani – Telekomunikacion, Myzafere Krasniqi-Limani – Elektronikë, Tringa Dedi – Pedagogji, Valmir Krasniqi – Matematikë.

Në fund të shqyrtimit, Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka miratuar propozimin për përbërjen prej 15 anëtarësh të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -