Të paktën 21 persona kanë humbur jetën kur një varkë me emigrantë u përmbys pranë bregdetit të Senegalit, sipas njoftimeve nga autoritetet.
Në një deklaratë të dielën, Ministria e Brendshme e Senegalit njoftoi se varka, e njohur si “pirogë”, hasi në vështirësi pranë Kébémer-it, në veriperëndim të vendit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar dhe deri tani është gjetur një i mbijetuar. “Në emër të Presidentit të Republikës dhe të qeverisë, Ministri i Brendshëm dhe i Sigurisë Publike nderon kujtimin e viktimave dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e prekur”, thuhet në deklaratë.
Qeveria theksoi gjithashtu “vendosmërinë e saj për të luftuar rrjetet e kontrabandimit të njerëzve” dhe njoftoi se do të bashkëpunojë me vendet fqinje për të trajtuar këtë problem.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pjesë e Kombeve të Bashkuara, e ka cilësuar “Rrugën e Atlantikut” si një itinerar të rrezikshëm dhe një shteg kryesor për emigrantët nga Afrika Perëndimore që synojnë të arrijnë Evropën.
Me shtimin e kontrolleve në pikat tradicionale të nisjes në Senegal, Marok dhe Mauritani, disa nga ata që kërkojnë të arrijnë në Evropë janë detyruar të drejtohen drejt jugut, në vende si Gambia.




