Bora ka arritur një fitore të rëndësishme në udhëtimin e saj ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, duke triumfuar me rezultatin 79:72 në një ndeshje të fortë, që bëri pjesë në xhiron e tetë.
Skuadra nga Prishtina siguroi fitoren pas një ndeshjeje mjaft konkurruese, ku vendasit e fituan çerekun e parë me rezultatin 20:18.
Megjithatë, Bora reagoi me forcë në periudhën e dytë dhe arriti të merrte epërsinë para pushimit.
Rivaliteti vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me mysafirët që e fituan çerekun e tretë me 18:16.
Vendimi përfundimtar erdhi në dy minutat e fundit, kur Bora arriti të krijonte distancën e nevojshme për të mbyllur ndeshjen me një fitore 79:72.
Një ndikim të madh në rrjedhën e takimit pati edhe dalja nga loja e disa lojtarëve të pesëshes startuese të Vëllaznimit, të cilët grumbulluan nga pesë gabime personale.
Rezart Mehmedi ishte më efikasi te Bora me 20 pikë, ndërsa Laolu Oke kontribuoi me 16 dhe Amin Hot me 11 pikë.
Nga ana tjetër, te Vëllaznimi u dalluan Kentrell Pullian me 24 pikë dhe Ricky Tarrant me 19.
Pas tetë xhirove, Bora renditet në pozitën e dytë me gjashtë fitore dhe dy humbje, ndërsa Vëllaznimi ka vetëm një fitore dhe shtatë humbje.




