Feronikeli ’74 ka arritur të fitojë ndaj Ballkanit me rezultatin 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Drenicasit vazhdojnë të tregojnë formë të shkëlqyer në kampionat, pas një fitoreje ndaj Dukagjinit dhe një barazimi me Malishevën, ata arritën ta mposhtin edhe Ballkanin.
Gjatë 45 minutave të para, takimi u karakterizua nga një lojë e barabartë mes dy skuadrave, me disa përpjekje për të shënuar, por portat mbetën të paprekura.
Në pjesën e dytë, loja vazhdoi të ishte e barabartë, por me më shumë raste për gol dhe më shumë rrjedhshmëri.
Sidoqoftë, vendasit ishin më rrezikshëm.
Për të parë golin, tifozët duhej të prisnin minutat shtesë, kur Ibrahim Cërvadiku doli në skenë dhe shënoi një gol të bukur, duke siguruar fitoren dhe rezultatin përfundimtar 1-0.
Pas kësaj fitoreje, Drenicasit pozicionohen në vendin e shtatë me 15 pikë, ndërsa therandasit mbesin në vendin e katërt me 19 pikë.




