Arsene Wenger po shqyrton mundësinë për t’u kandiduar si president i FIFA-s në zgjedhjet e ardhshme, ku do ta ketë përballë Gianni Infantinon.
Ish-trajneri i Arsenalit, i cili aktualisht mban pozitat e drejtorit të zhvillimit global të futbollit në FIFA, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Sipas gazetës franceze L’Equipe, Wenger po i afrohet gjithnjë e më shumë mundësisë për t’u angazhuar në këtë garë.
Një vendim i përfundimtë pritet deri në mesin e javës së ardhshme, pasi Wenger planifikon disa takime ku bashkëbiseduesit do të përpiqen ta bindin atë për të kandiduar.
Reputacioni i tij dhe përvoja ndërkombëtare mund të jenë vendimtare për bashkimin e shoqatave që janë kundër presidentit aktual.
Sipas gazetës franceze, Wenger gëzon një popullaritet të veçantë në Afrikë dhe Azi.
Fakti që ai nuk vjen nga mjedisi i UEFA-s mund t’i sjellë atij edhe mbështetje nga disa shoqata kombëtare.
Kandidatura e tij raportohet se mbështetet nga disa punonjës brenda FIFA-s.
Meqenëse ai është 77 vjeç, Wenger ndoshta do të shërbejë vetëm një mandat katërvjeçar nëse arrin të fitojë.
Gianni Infantino, aktuali president i FIFA-s, po përgatitet për një mandat të ri dhe me kandidaturën e Wenger, ai do të përballet me një konkurrencë serioze.




