Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojë sot një protestë gjithëkombëtare, me kërkesë për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe për përgjegjësi institucionale në lidhje me rastet e vrasjes së grave në Kosovë.
Protesta do të zhvillohet në orën 12:00, dhe organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizimin e qytetarëve, duke theksuar se vrasja e Arlindës ka nxjerrë në pah dështimet e institucioneve në mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.
Me anë të kësaj proteste, Kolektivi kërkon që femicidi të trajtohet si një urgjencë kombëtare dhe që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
Një nga kërkesat kryesore të organizatorëve është shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i zyrtarëve që mbahen përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt.
Në këtë listë përfshihen: kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, prokurorja Suada Rama Hamza, kryetari i Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësi Migjen Kastrati, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, si dhe togeri Faruk Muqolli.
Po ashtu, kërkohet shkarkimi i Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu i sistemit të drejtësisë dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Kolektivi ka bërë të ditur se angazhimi i tyre nuk do të përfundojë me kërkimin e drejtësisë për Arlindën, por do të vazhdojë për sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha vajzave dhe grave në Kosovë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




