temp image 520 temp image 520

Kosova Rrezikon Humbje të Mëdha nga Plani i Rritjes të BE-së

- Advertisement -

Kosova mund të humbasë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse deri në fund të këtij viti nuk përmbush hapat reformues që kanë mbetur nga periudha 2024–2025.

Kështu ka deklaruar Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë dhe menaxher i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ai theksoi se këto reforma përfshijnë obligime ligjore që duhet të zbatohen nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, moszbatimi i këtyre reformave do të sjellë jo vetëm humbje të mjeteve financiare të alokuara nga Bashkimi Evropian, por edhe ngecje në realizimin e reformave të domosdoshme për vendin. “Po, deri në fund të këtij viti Kosova duhet të përmbushë 27 hapa që kanë mbetur për nga viti 2024-2025, të cilët kanë periudhën skaduese deri në fund të këtij viti.

Duhet pasur parasysh që Plani i Rritjes është një nga mekanizmat më inovativë të Bashkimit Evropian, pasi që mundëson zbatimin e vlerave të Bashkimit Evropian, mundëson zbatimin e reformave që janë shumë të nevojshme për qytetarin, por njëkohësisht edhe përfitohet nga fondet që janë alokuar nga Bashkimi Evropian, përkundër çdo reforme.

Të 27 hapat janë obligime ligjore që duhet të zbatohen nga Kuvendi i Kosovës dhe nëse ato nuk zbatohen, atëherë krejt thjesht humbim në zbatimin e vlerave të Bashkimit Evropian, humbim në zbatimin e reformave shumë të nevojshme për vendin, po ashtu edhe humbim mjete shumë të nevojshme për buxhetin e vendit dhe të Republikës së Kosovës,” tha ai.

Marmullakaj gjithashtu theksoi rëndësinë e miratimit të Kodit Civil, që është pjesë e agjendës së reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.

Ai paralajmëroi se mosmiratimi i tij mund t’i kushtojë Kosovës mbi gjashtë milionë euro. “Po, në rast të mosmiratimit të Kodit Civil, atëherë duhet pasur parasysh si fillim që Kodi Civil, si parim i përgjithshëm është i përfshirë në kuadër të agjendës së reformave të Planit të Rritjes, agjendë e cila është dakorduar me Bashkimin Evropian.

Edhe parimet se si duhet dhe çfarë duhet të ngërthejnë Kodi Civil, janë të përfshira në kuadër të agjendës së reformave.

Moszbatimi i tij na kujton që përveç faktit që nuk do të kemi legjislacionin civil të kodifikuar në një instrument ligjor, do të pasojë edhe me humbjen e një shume të caktuar të mjeteve, që kujtoj që është mbi 6 milionë euro, të cilat janë të dedikuara vetëm për miratimin e Kodit Civil,” tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se 27 reformat e parapara deri në fund të vitit kanë vlerë mbi 165 milionë euro, duke rikujtuar se Kosova tashmë ka humbur rreth 50 milionë euro për shkak të mosrealizimit të reformave në afatin e qershorit. “Janë te 27 reformat që janë të parapara deri në fund të këtij viti, shkojnë në vlerë mbi 165 milionë euro.

Duke marrë parasysh që ne veç kemi humbur rreth 50 milionë euro në afatin e qershorit, tani nëse nuk zbatohen këto reforma, ne rrezikojmë të humbim shuma të mëdha të mjeteve që kalojnë përmbi 100 milionë euro, pasi që kujtoj që një numër i reformave do ishte dashur të zbatoheshin në një formë apo tjetër,” tha ai.

Të hënën, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, bëri të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -