Kombëtarja e Kosovës është bërë pjesë e planeve të Irlandës për dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve.
Përzgjedhësi Heimir Hallgrimsson ka theksuar objektivin e skuadrës së tij.
Ai ka deklaruar se Irlanda synon të përfundojë kampanjën në vendin e dytë, pozita që aktualisht mbahet nga Kosova, me të dyja ekipet që kanë nga pesë pikë.
Në krye të grupit qëndron Austria me tetë pikë, ndërsa Izraeli është në vendin e fundit me dy pikë.
Irlanda do të përballet fillimisht me Austrinë në një udhëtim më 14 nëntor, përpara se të presë Kosovën në Dublin më 17 nëntor, në një ndeshje që mund të jetë vendimtare për renditjen përfundimtare.
Hallgrimsson ka pranuar se dy fitoret në këto ndeshje do t’i ofronin Irlandës mundësinë për të mbyllur grupin në vendin e parë, por ka theksuar se edhe pozita e dytë mbetet një objektiv i rëndësishëm. “Me dy fitore do të ishim të parët në grup, ndërsa me fitore ndaj Kosovës në stadiumin ‘Aviva’, me shumë gjasë do ta siguronim vendin e dytë, që padyshim se është synimi ynë, për të qenë në vazon e dytë kur të tërhiqet shorti për Evropian, në muajin dhjetor në Belfast,” ka deklaruar përzgjedhësi i Irlandës.
Kjo deklaratë tregon rëndësinë që kanë irlandezët përballja e fundit me Dardanët, të cilët aktualisht janë përpara tyre në tabelë.
Kosova, për më tepër, ka një avantazh psikologjik nga përballja e parë e zhvilluar në Prishtinë, ku arriti një fitore me rezultat 1-0.
Heroi i asaj fitoreje ishte Vedat Muriqi, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 83-të.




