Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën, më 7 nëntor 2026, nga ora 08:30 deri në 12:00, një pjesë e Rrugës B do të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve, për shkak të zhvillimit të garës urbane të çiklizmit “Criterium Prishtina 2026”.
Sipas njoftimit, mbyllja do të përfshijë segmentin e Rrugës B, nga rrethrrotullimi që lidhet me Rrugën A deri te rrethrrotullimi i Maxi 24.
Megjithatë, rrethrrotullimi te Maxi 24 nuk do të bllokohet, ndërsa shiriti i tij i brendshëm do të mbetet i hapur për qarkullim normal.
Për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në trafik, qytetarëve u rekomandohet të përdorin rrugët alternative, si Rruga A, Rruga C dhe rruga “Fadil Vata”, përmes Bregut të Diellit.
Kryeqyteti ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për të garantuar sigurinë e garuesve dhe zhvillimin e suksesshëm të aktivitetit sportiv.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




