temp image 502 temp image 502

Zgjedhjet në Këshillin Kombëtar Shqiptar: Shqiptarët në Serbi përballë një vendimi të rëndësishëm

- Advertisement -

Edhe një herë, shqiptarët që jetojnë në Serbi do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel.

Por kësaj radhe, në listat e votimit do të kenë mundësi të votojnë vetëm për kandidatët shqiptarë.

Më 8 nëntor, ata do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë për katër vitet e ardhshme në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Kryetari aktual i KNSH-së nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, Enkel Rexhepi, ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në votime, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës së mirë me Kosovën dhe Shqipërinë. “Me Qeverinë e Kosovës kemi nisur projekte të rëndësishme të cilat duhet t’i çojmë deri në fund, kemi ende shumë punë përpara dhe me vendosmërinë për të vazhduar për të rinjtë tanë, për dinjitetin dhe për të ardhmen e Luginës së Preshevës.

Me moton tonë Kosovë dhe Shqipëri në Luginë me besë e zemër, besoj që qytetarët do i përgjigjen masovikisht,” shprehet Rexhepi.

Ai thekson se gjatë mandatit të tij ka pasur suksese të vazhdueshme. “Përballë regjimit të Aleksandër Vuçiqit nuk u dorëzuam, qëndruam dhe sollëm rezultate ku për herë të parë erdhën dy kongresmenë amerikanë në Luginë të Preshevës, që ishte historike.

Po ashtu, kemi ofruar libra falas për 3686 nxënës, bursa dhe studime falas për studentë, si dhe kemi themeluar institutin për trashëgimi kulturore, specializimin e mjekëve dhe ngritjen e nivelit të arsimit.

Këto janë vetëm disa nga shumë projekte që prekin jetën e qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës,” pohoi Rexhepi.

Një nga kundërkandidatët e Rexhepit do të jetë Levent Qazimi nga Alternativa për Ndryshim.

Kryetari i APN-së, Visar Memeti, shpjegon se kanë vendosur të garojnë me këtë emër për të sjellë ndryshimin. “E kemi parë që ka pasur koalicione dhe blloqe mes partive, por këtë herë ne si Alternativë, e cila jemi të shtrirë edhe në Preshevë edhe në Bujanoc, do të dalim të vetëm me kandidatin tonë, Levent Qazimin, me të cilin kemi pasur një rezultat shumë të mirë katër vjet më parë,” deklaroi Memeti.

Ai gjithashtu kritikon punën e ish-kryetarëve të Këshillit Kombëtar, duke thënë se puna e tyre nuk është kryer siç duhet. “Në Këshillin Nacional, kemi pasur një pushtet dy vite një parti dhe dy të tjera një parti tjera, që kanë qenë komplet joserioze.

Kryetarët e KNSH-së nuk kanë qenë të aftë për të kryer punën e tyre, dhe rezultatet flasin vetë. Çështja e fondeve që Qeveria e Kosovës i ndan çdo vit me milionë, për fat të keq, nuk është shfrytëzuar siç duhet,” tha ai.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024, në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar ka qenë Nevzad Lutfiu.

Pas tij, Enkel Rexhepi ka marrë pozitën e kryetarit.

Ky rotacion është pjesë e marrëveshjes së koalicionit të vitit 2022 mes disa subjekteve politike shqiptare në Luginë të Preshevës, duke përfshirë PVD-në dhe LPD-në.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -