temp image 453 temp image 453

Rëndësia e Zbatimit të Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë

- Advertisement -

Në një tryezë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), u diskutua për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për mungesën e mekanizmave efektivë që do të garantonin zbatimin e tyre.

Përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile shprehën shqetësimin për ndikimin negativ që ka kjo praktikë mbi autoritetin e Gjykatës dhe mbi funksionimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë diskutimit, u theksua se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të mbeten vetëm në letër.

Ato duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet, dhe u kërkua që të plotësohet Kodi Penal në mënyrë që të përcaktohet qartë përgjegjësia penale për rastet e moszbatimit të tyre.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, e theksoi se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një problem më i gjerë se sa raste individuale, duke e cenuar autoritetin e këtij institucioni dhe duke shkelur të drejtat e qytetarëve.

Ai tha: “Në rastin KO79/23, për Ligjin për Pagat, Kuvendi nuk e përmbushi brenda afatit detyrimin për të ndryshuar dispozitën për shtesën e përvojës së punës.

Ndërsa, në rastin KO124/25, për konstituimin e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese konstatoi në gusht të vitit 2025 se deputetët nuk e kishin zbatuar aktgjykimin e saj të mëparshëm.

Pra, nga këto raste shohim se problemi është shumë më i gjerë.

Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk cenon vetëm autoritetin e saj, por prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve dhe dobëson besimin e tyre në institucionet e shtetit. Çfarë vlere ka një vendim në favor të një qytetari, nëse ai duhet të presë edhe dhjetë vjet për ta realizuar të drejtën e tij?

Dhe çfarë kuptimi ka që Kushtetuta i bën vendimet të detyrueshme, nëse institucionet nuk i zbatojnë ato?

Këto janë pyetje që dalin nga rastet e trajtuara në analizën tonë.

Një tjetër problem që kemi evidentuar lidhet me Kodin Penal.

Aktualisht, neni 394 e parasheh përgjegjësinë penale për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Mirëpo, në këtë nen nuk përmenden shprehimisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo krijon paqartësi, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit të gjykatave të rregullta.

Ne kemi parë edhe se si e kanë rregulluar këtë çështje shtetet e tjera”, tha Jakaj.

Ai njoftoi se një nismë legjislative është mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë dhe tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që deputetët ta trajtojnë me seriozitet. “Më 23 korrik të këtij viti kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve, proces të cilin e kemi përmbyllur më 23 tetor.

Për tre muaj kemi qenë në shumë komuna të Kosovës.

Kemi takuar qytetarë në sheshe, kemi biseduar me përfaqësues lokalë dhe kemi organizuar diskutime me studentë.

Për ne, ky nuk ka qenë vetëm proces i mbledhjes së nënshkrimeve, por edhe mundësi që qytetarët të njihen me problemet dhe të bëhen pjesë e propozimit të zgjidhjeve.

Në fund, 12.120 qytetarë e kanë mbështetur Nismën tonë.

Më 26 tetor, këtë nismë e kemi dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nisma përmban dy propozime: përgjegjësinë penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjësinë penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral.

Analizën për çështjen e dytë do ta prezantojmë më 18 nëntor.

Tani, pasi qytetarët e kanë bërë pjesën e tyre, radhën e ka Kuvendi që ta shqyrtojë këtë nismë.

Presim që edhe deputetët ta trajtojnë me seriozitet këtë propozim dhe vullnetin e shprehur nga mbi 12 mijë qytetarë.

Në fund, qëllimi ynë nuk është të kemi sa më shumë njerëz të dënuar, por të kemi sa më pak vendime të Gjykatës Kushtetuese që mbeten pa u zbatuar.

Sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim”, theksoi Jakaj.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e theksoi se obligimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe se institucionet duhet ta respektojnë atë, pavarësisht dallimeve politike. “Përgjigjja juridike në këtë çështje është e qartë.

Neni 116 i Kushtetutës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Ne mund të debatojmë normalisht publikisht për arsyetimin e një vendimi, mund të kemi mendime të ndryshme politike për pasojat e një vendimi, mirëpo detyrimin për ta zbatuar e kemi të përbashkët.

Nga ai moment kur pyetja për zyrtarin publik është se çfarë duhet të bëjë dhe kur duhet ta bëjë një veprim, si Partia Demokratike e Kosovës e kemi përdorur të drejtën që na jep Kushtetuta për të kontestuar disa ligje në Gjykatën Kushtetuese.

Në shumë prej rasteve, gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese dhe ka shpallur të pavlefshme ligjet që ka miratuar shumica.

Këto i konsideroj fitore politike jo vetëm për PDK-në, por për institucionet e Republikës”, deklaroi Çitaku.

Ajo theksoi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë standard i njëjtë për të gjitha partitë politike, përfshirë edhe PDK-në, duke përmendur rastet kur janë kontestuar ligje të miratuara nga shumica parlamentare. “Megjithatë, ne duhet të shkojmë përtej saj.

Ka pasur shumë raste, dhe nuk dua t’ju ngarkoj për t’i përmendur një nga një, nga ligji për konfiskimin e zyrtarëve e deri te ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, në të cilat gjykata ka identifikuar shkelje në disa dispozita, përfshirë edhe atë për zgjedhjen apo shkarkimin e anëtarëve.

Debati politik aty kishte të bënte me pavarësinë e një institucioni që mbikëqyr një pjesë të hapësirës mediatike.

Mënyra se si emërohen anëtarët e tij dhe kushtet në të cilat ata mund të shkarkohen, përcaktojnë se sa të lirë janë ata në procesin e vendimmarrjes, dhe ne me ligj duhet t’ua mundësojmë që vendimet e tyre të mos kufizohen nga vullneti i shumicës.

E kemi parë shpeshherë peshën e kontrollit kushtetues edhe gjatë proceseve të shumta të konstituimit të Kuvendit nga viti 2025 e tutje.

Mirëpo, të njëjtin standard e pranoj edhe për partinë time: kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk i përshtatet qëndrimit politik të PDK-së, PDK-ja megjithatë e ka për detyrë ta respektojë”, u shpreh Çitaku.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -