Një dyqan i biçikletave elektrike në Oftringen, kantoni Aargau, është bërë objekt i një grabitjeje gjatë natës.
Autorët kanë hyrë me forcë në dyqan dhe kanë vjedhur rreth 30 biçikleta elektrike, vlera e të cilave kalon 100 mijë franga zvicerane.
Ngjarja është zbuluar të mërkurën në mëngjes nga Roland Kurth, 64 vjeç, drejtuesi i filialit të kompanisë “m-way”, i cili ishte i tronditur kur pa se një pjesë e madhe e ekspozitës ishte boshatisur. “Rreth 30 biçikleta elektrike ishin zhdukur.
Në fillim nuk mund ta besoja,” ka thënë Kurth.
Sipas tij, vetëm pasi vuri re mjetet që ishin përdorur për thyerje pranë hyrjes kryesore, ai kuptoi se dyqani ishte grabitur.
Policia kantonale e Aargaut ka konfirmuar se autorët kanë hyrë në sallën e ekspozitës duke thyer derën.
Vlera e biçikletave të vjedhura është vlerësuar dukshëm mbi 100 mijë franga.
Autoret kanë marrë vetëm biçikletat më të shtrenjta.
Sipas drejtuesit të dyqanit, duket se ata e dinin saktësisht se cilat modele kishin vlerën më të lartë. “Morën pothuajse vetëm biçikletat elektrike që kushtonin nga 7 mijë deri në 10 mijë franga, ndërsa modelet e tjera i lanë në dyqan,” tha Kurth.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat janë dorëzuar policisë, shihen tre persona të veshur me rroba të errëta dhe me kapuçë, por fytyrat e tyre nuk mund të identifikohen.
Sipas vlerësimit të policisë, vjedhja ka zgjatur rreth dhjetë minuta, dhe dyshohet se autorët kanë përdorur disa automjete për të transportuar biçikletat.
Ky dyqan nuk kishte përjetuar një grabitje të tillë në 11 vjet.




