“Duhet t’ia kthejmë Rusisë borxhin për gjithçka që ka bërë për ne ndër vite”, shprehet një burrë me nofkën “Kobra”, i cili u shfaq në televizionin rus në fillim të shtatorit, i veshur me uniformë ushtarake dhe me një maskë të zezë që i mbulonte pjesën e poshtme të fytyrës.
Në dokumentar, ai prezantohet si snajperist me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë për identitetin e tij zbuloi gjurmë që çojnë te Petar Popoviq nga Derventa, një person që kërkohet nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas dokumentarit, “Kobra” shkoi për të luftuar në Ukrainë në fund të vitit 2022, së bashku me Marko Matoviqin, një vullnetar nga Serbia.
Matoviq u vra në fillim të vitit 2025, gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.
Dokumentari rus u transmetua për herë të parë më 6 shtator në televizionin Zvezda, të cilin Bashkimi Evropian e sanksionoi në vitin 2023, duke e cilësuar si një medium që kontrollohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përhap propagandë për agresionin rus kundër Ukrainës.
Dokumentari lidh marrëdhëniet historike ndërmjet serbëve dhe rusëve, duke përfshirë luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, me pjesëmarrjen e sotme të vullnetarëve serbë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Pjesëmarrja e tyre në këtë luftë paraqitet si një mënyrë për t’ia kthyer Rusisë ndihmën që, sipas narrativit të dokumentarit, ajo u ka dhënë serbëve ndër vite. “Nuk mund të thuash thjesht ‘faleminderit’ dhe të vazhdosh tutje.
Prandaj, shkova të luftoj dhe do të luftoj deri në fund”, thotë “Kobra” në dokumentar.
Në dokumentar, përmendet se “Kobra” ka përvojë luftarake dhe arsimim të lartë ushtarak, si dhe ka shërbyer për vite me radhë në një njësi elitare të Ushtrisë së Serbisë, përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
Ai kujton se si ishte njohur me Matoviqin gjatë stërvitjeve ushtarake në Serbi dhe si kishte qenë dëshmitar i vrasjes së tij gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.
Dokumentari është shpërndarë edhe në profilin e Instagramit me emrin kobrasniper333.
Personi që komunikon përmes këtij profili, i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se është ushtari i njohur si “Kobra”, që shfaqet në dokumentar.




