Muzeu Metropolitan i Artit në New York ka bërë të ditur temën e re të ekspozitës së Costume Institute për pranverën e vitit 2027.
Kjo vjen pas anulimit të retrospektivës së stilistit John Galliano, e cila u ndal për shkak të polemikave të shkaktuara nga deklaratat e tij të mëparshme antisemite dhe raciste.
Ekspozita e re, e titulluar “extraORDINARY: Fashion and the Poetics of the Everyday” (Moda dhe poetika e përditshmërisë), do të hapet në kuadër të Met Gala 2027, eventi tradicional që zhvillohet të hënën e parë të muajit maj.
Sipas muzeut, kjo ekspozitë do të sjellë një qasje të re ndaj modës, duke shqyrtuar si stilistët transformojnë veshjet e zakonshme, objektet e përditshme dhe materialet e njohura në krijime artistike përmes mjeshtërisë, konstruksionit dhe eksperimentimit me materiale dhe ide kreative.
Përgatitja e ekspozitës i është besuar Andrew Bolton, kuratorit kryesor të Costume Institute, i cili është detyruar të zhvillojë një koncept të ri në një kohë relativisht të shkurtër, pas vendimit për anulimin e retrospektivës së Gallianos.
Ky vendim erdhi pas presionit nga donatorët, zyrtarët e qytetit dhe komuniteti hebre për shkak të deklaratave të mëparshme antisemite dhe raciste të stilistit.
Bolton ka pranuar se anulimi i ekspozitës fillestare e kishte gjetur pa një alternativë të gatshme. “Nuk kisha një plan B, të jem i sinqertë,” është shprehur ai.
Sipas tij, ideja për temën e re lindi nga puna e mëhershme për ekspozitën “Costume Art” dhe reflektimet mbi mënyrën se si njerëzit e përjetojnë veshjen në jetën e përditshme, përmes përdorimit, kujtimeve dhe lëvizjes. “Veshjet e përditshme mbartin një sasi të jashtëzakonshme kuptimesh,” ka deklaruar Bolton.
Ndër zërat më të fuqishëm kundër ekspozitës së Gallianos ishte edhe Julie Menin, kryetarja e Këshillit Bashkiak të New Yorkut, e cila është vajza e një të mbijetuari të Holokaustit.
Ajo e kishte cilësuar anulimin si vendimin e duhur, duke thënë se dëmi dhe dhimbja që kishte shkaktuar kjo situatë ishin të papranueshme.
Galliano, i cili më parë ka qenë drejtor kreativ i shtëpisë së modës Christian Dior, u shkarkua nga pozita në vitin 2011, pasi deklaratat e tij raciste dhe antisemite të viteve 2010 dhe 2011 u bënë publike.
Më pas, ai u shpall fajtor në një proces gjyqësor në Francë lidhur me deklaratat antisemite.
Pas anulimit të ekspozitës, stilisti pranoi përgjegjësinë për fjalët e tij dhe shprehu keqardhje për lëndimin që u kishte shkaktuar komuniteteve hebreje dhe aziatike. “Vazhdoj të mbaj përgjegjësi të plotë për dhimbjen që kanë shkaktuar fjalët e mia në të kaluarën, veçanërisht për lëndimin që u kam shkaktuar komunitetit hebre dhe atij aziatik, për të cilën më vjen thellësisht keq,” deklaroi ai.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




