Aktorja amerikane Kimmarie Johnson, e cila u bë e njohur për rolin e saj në serialin “Beverly Hills, 90210”, ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare.
Ajo u nda nga jeta të mërkurën, vetëm pak më shumë se një javë pas një arresti kardiak që pësoi në shtëpinë e saj, siç raportohet nga Page Six.
Lajmi për vdekjen e saj është konfirmuar nga mbesa e saj, Rhonda Scott.
Ajo tha se Johnson pati një arrest kardiak më 27 tetor në shtëpinë e saj në Los Angeles, dhe pas kësaj u dërgua me urgjencë në Spitalin Cedars-Sinai.
Sipas mbesës, mjekët e diagnostikuan aktoren me aneurizëm në zemër.
Scott theksoi se Johnson ndërroi jetë në paqe të mërkurën pasdite, pasi zemra e saj pushoi së rrahuri.
Në vitin 1998, Johnson u shfaq në një episod të sezonit të tetë të “Beverly Hills, 90210”, në rolin e Judy-t.
Ajo gjithashtu u shfaq në komedinë “Dude, where’s my car?” në vitin 2000, me protagonistë Ashton Kutcher dhe Seann William Scott.
Pasi lindi djalin e saj Cameron Nino në vitin 2003, ajo u tërhoq nga aktrimi për disa vite, por më vonë u rikthye në skenë, duke u shfaqur në filma të pavarur dhe shfaqje teatrale.
Përveç aktrimit, Johnson ka kontribuar në prodhimin e filmave dhe ishte producente ekzekutive e filmit “The Last Eve” nga viti 2005, i cili fitoi disa çmime në festivale të filmit të pavarur.
Në vitin 2011, ajo lançoi markën e kozmetikës SkinGlow nga Kimmarie.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com




