Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se në Ambasadën e Kosovës në Berlin u organizua ceremonia e diplomimit për kadetët e FSK-së, të cilët përfunduan studimet trevjeçare në akademitë ushtarake në Gjermani.
Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm edhe përfaqësues ushtarakë nga Ministria Federale e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë.
Maqedonci e uroi diplomimin e kadetëve, duke theksuar se ata do t’u bashkohen oficerëve të Ushtrisë së Kosovës. “Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake.
Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë e përgatitjen e fituar”, tha ministri i Mbrojtjes.
Maqedonci bëri me dije se deri tani 18 kadetë kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë janë duke vazhduar studimet ushtarake në akademi të ndryshme gjermane.
Ai sqaroi se përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani. “Ky bashkëpunim po kontribuon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.
E falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa kadetëve tanë u uroj suksese në shërbim të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Maqedonci në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




