temp image 356 temp image 356 scaled

Vinicius Junior: Një Periudhë e Vështirë për Sulmuesin e Real Madridit

- Advertisement -

Vinicius Junior po kalon një periudhë shumë të vështirë te Real Madridi.

Forma e tij ka rënë ndjeshëm që nga rinovimi i kontratës me klubin madrilen, duke mos arritur të shënojë apo asistojë në gjashtë ndeshje radhazi.

Kritikat për performancat e tij në Spanjë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, për shkak të paraqitjeve të fundit që kanë lënë për të dëshiruar.

Sulmuesi 26-vjeçar nuk po arrin të tregojë nivelin e pritur, dhe ndeshja ndaj AEK Athinës, e fituar nga madrilenët me rezultat 3-2, ishte një tjetër dëshmi e vështirësive që po kalon.

Në këtë takim, braziliani nuk shënoi dhe nuk asistoi, duke mos arritur as të kompletonte një driblim të vetëm për 81 minuta që qëndroi në fushë.

Ai provoi tri goditje drejt portës, por asnjëra nuk përfundoi në kuadratin e saj.

Statistikat e tij këtë sezon janë larg pritshmërive, pasi në 12 ndeshje të zhvilluara, Vinicius ka realizuar vetëm një gol dhe ka regjistruar tri asistime.

Kontributi i tij i fundit në një gol daton gjashtë ndeshje më parë, duke shënuar periudhën më të gjatë pa shënuar apo asistuar që nga sezoni 2022/23.

Gjatë tri ndeshjeve të fundit evropiane ndaj Romës, RB Leipzigut dhe AEK Athinës, ai nuk ka arritur të kompletojë asnjë driblim.

Kontrasti me pjesën tjetër të skuadrës është edhe më i dukshëm.

Në përmbysjen ndaj AEK-ut, golat për Real Madridin i shënuan Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Fede Valverde, ndërsa Vinicius sërish nuk arriti të linte gjurmë në rezultat.

Megjithatë, trajneri Jose Mourinho vazhdon t’i besojë brazilianit.

Pas ndeshjes në Greqi, ai e vlerësoi paraqitjen e tij si të pranueshme, duke shpjeguar se zëvendësimi ishte i lidhur me nevojat e ndeshjes dhe menaxhimin e ngarkesës fizike.

Sidoqoftë, shifrat tregojnë një rënie të dukshme në lojën individuale të brazilianit, ku Yan Diomande kishte realizuar 36 driblime këtë sezon, për dallim nga Vinicius, i cili kishte vetëm 15.

Një tjetër element që e bën situatën e Viniciusit më të diskutueshme është kontrata e re me Real Madridin.

Më 6 gusht, ai nënshkroi një marrëveshje deri më 30 qershor 2032, pas negociatave të gjata me drejtuesit e klubit.

Raportohet se gjatë bisedimeve ai kishte kërkuar një pagë vjetore prej rreth 30 milionë eurosh, edhe pse kjo shumë nuk u konfirmua zyrtarisht.

Paga e tij neto pritet të arrijë afërsisht 24 milionë euro në sezon.

Për një futbollist me një kontratë të tillë dhe me pritshmëritë që shoqërojnë rolin e tij te Real Madridi, paraqitjet e fundit kanë ngritur pikëpyetje të mëdha.

Vinicius do ta humbasë edhe ndeshjen e radhës ndaj Valencias, më 7 nëntor, për shkak se duhet të vuajë ndeshjen e fundit të pezullimit prej katër takimesh.

- Advertisement -