temp image 110 temp image 110 scaled

Shëndeti Mendor i Fëmijëve në Kosovë: Një Krizë që Kërkon Vëmendje

- Advertisement -

Shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve është një nga çështjet më të rëndësishme shëndetësore që shpesh lihen në hije në nivel global, duke mos marrë prioritetin e nevojshëm.

Rreth 10–20 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor, dhe rreth gjysma e të gjitha çrregullimeve mendore te të rriturit fillojnë deri në moshën 14-vjeçare.

Kjo është e evidentuar në një raport të UNICEF-it që shqyrton gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve në mbarë botën.

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in mbi shëndetin mendor të fëmijëve në Kosovë, janë publikuar statistika shqetësuese për këtë çështje.

Sipas një raporti tjetër të UNICEF-it për Kosovën, i publikuar në gusht të këtij viti, është vënë re se përqindja e nxënësve 15 dhe 16-vjeçarë që kanë raportuar tentimvetëvrasje është rritur nga 3.4% në vitin 2011 në 10% në vitin 2024.

Raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe atyre psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë” evidenton sfidat në rritje në këtë fushë, duke përfshirë ankthin, depresionin, shqetësimin emocional dhe traumën, si dhe boshllëqet në qasjen në shërbime mbështetëse.

Megjithëse shërbimet ofrohen në disa sektorë, sistemet e mbështetjes mbeten të fragmentuara dhe qasja në to nuk është e barabartë, veçanërisht për fëmijët nga grupet e cenueshme dhe ata që jetojnë në zona rurale.

Kosova ka një popullsi të re, me më shumë se 423,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç, duke përbërë rreth një të katërtën e popullsisë.

Ky profil demografik ofron mundësi të mëdha për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por gjithashtu vendos një përgjegjësi të madhe mbi institucionet për të mbrojtur dhe promovuar shëndetin mendor të fëmijëve.

Një fëmijë i lindur sot në Kosovë pritet të arrijë vetëm 57 për qind të potencialit të tij, kryesisht për shkak të barrierave në shëndetësi dhe arsim.

Varfëria, papunësia dhe përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë në arsim apo punësim krijojnë trysni që ndikojnë në fëmijët dhe familjet.

Fëmijët dhe adoleshentët përballen me rreziqe të shumta, përfshirë nivele të larta të shqetësimit emocional, ankth, depresion dhe bullizëm.

Fëmijët nga grupet e cenueshme, si ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përballen me pengesa të mëdha në qasjen në shërbime dhe sigurinë.

UNICEF-i ka porositur hartimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe psikosocial në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, për të vlerësuar kapacitetet e sistemeve ekzistuese dhe për të identifikuar boshllëqet në shërbime.

Gjetjet tregojnë se ka një rritje të shqetësimeve të shëndetit mendor tek fëmijët, me raste të rritura të ankthit dhe depresionit, sidomos te vajzat dhe fëmijët që jetojnë në varfëri.

Paslufta ka lënë një trashëgimi të traumave që po ndihen te brezat e rinj.

Një nga gjetjet më kritike është rritja e mendimeve dhe tentativave për vetëvrasje, që kanë arritur ndjeshëm gjatë viteve.

Kjo tregon nevojën për një sistem të fortë parandalimi dhe mbikëqyrje.

Rreziqet janë të pranishme në të gjitha nivelet e jetës së fëmijëve, nga dhuna në familje deri te bullizmi në shkolla.

Ambientet digjitale gjithashtu paraqesin një burim shqetësimi, ku bullizmi kibernetik dhe përmbajtjet e dëmshme po rriten.

Këto gjetje theksojnë nevojën për një qasje të integruar dhe të barabartë ndaj shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -