Trajneri i Prishtinës, Orges Shehi, ka vlerësuar fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij ndaj Dritës, e cila e riktheu klubin kryeqytetas në pozitën e liderit të tabelës në Superligën e Kosovës.
Prishtina triumfoi me rezultat 2-1 ndaj Dritës në përballjen e zhvilluar në Gjilan, e cila i takon xhiros së dytë të Superligës, por që nuk ishte zhvilluar sipas programit për shkak të angazhimeve të Dritës në Evropë.
Shehi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve, duke theksuar se përballë një kundërshtari të fortë, skuadra kërkonte maksimumin.
Ai gjithashtu vlerësoi përqendrimin dhe forcën e treguar nga lojtarët, pavarësisht kalendarit të ngjeshur. “Është një fitore shumë e rëndësishme përballë një kundërshtari të fortë.
Më vjen mirë që djemtë patën përqendrimin dhe forcën e duhur.
Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, edhe pse kemi një orar të ngjeshur”, deklaroi Shehi.
Duke folur për përballjet ndaj rivalëve, tekniku i Prishtinës theksoi se ndeshjet e tilla vendosen nga episode të caktuara.
Ai kujtoi edhe humbjen e mëparshme, duke thënë se skuadra kishte ndryshuar qasjen për këtë takim. “Ndeshjet me rivalët i vendosin episodet.
Në ndeshjen e parë ishte humbja e parë që pësuam, një rezultat që nuk e prisnim.
Pas asaj humbjeje, u përmirësuam dhe ndryshuam qasjen.
Kundërshtari ndryshoi një lojtar nga protokolli në momentet e fundit”. “Ne u munduam t’i bllokonim pikat e forta të tyre, të krijonim superioritet në mesfushë, të dilnim nga krahët dhe të shfrytëzonim sulmuesit tanë”, u shpreh ai.
Shehi ia atribuoi meritën kryesore futbollistëve, duke nënvizuar sakrificën e tyre në fushë.
Ai foli edhe për rotacionet e bëra në formacion, për shkak të ngarkesës së madhe në kalendar. “Fitoren e vendosi sakrifica e lojtarëve dhe kjo fitore u takon atyre.
Kemi një grup për të cilin kam folur shpesh.
Nga ndeshja në ndeshje mund të ketë rotacione”. “Kemi pasur një kalendar të ngjeshur dhe Albini e Diatta kanë luajtur rregullisht.
Pas ngarkesës që morën në ndeshjen e fundit, rrezikonin lëndimin, ndaj vendosëm t’i ruanim dhe t’u jepnim më pak minuta”, përfundoi Shehi.




