Nga 16 prilli deri më 1 nëntor 2026, janë konfirmuar 69 raste me fruth në Kosovë.
Organizatat e shoqërisë civile bëjnë thirrje për vaksinim të hershëm dhe për plotësimin e dozave të rekomanduara.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PSHS) kanë shprehur shqetësimin për rritjen e rasteve të fruthit në Kosovë dhe i bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin e fëmijëve me kohë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në periudhën 16 prill – 1 nëntor 2026 janë regjistruar gjithsej 269 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 27 raste të reja.
Në një komunikatë të përbashkët, këto organizata theksojnë se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë ndërlikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. “Këto të dhëna rikujtojnë rëndësinë e vaksinimit në kohë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e përhapjes së sëmundjes”, thuhet në komunikatë.
Organizatat i inkurajojnë prindërit që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë që ata të kenë marrë të gjitha dozat e rekomanduara sipas kalendarit të vaksinimit.
Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat, janë inkurajuar që të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues.
Në komunikatë theksohet gjithashtu rëndësia e informimit të saktë të prindërve dhe trajtimit të shqetësimeve të tyre përmes komunikimit të hapur dhe informacionit shkencor. “Profesionistët shëndetësorë janë ndër burimet më të besueshme të informacionit dhe këshillimit për prindërit dhe familjet”, thuhet në komunikatë.
Duke iu referuar vlerësimit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të publikuar në shtator 2026, organizatat rikujtojnë se nuk ka dëshmi shkencore që mbështesin një lidhje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit.
Në përfundim, KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PSHS vlerësojnë përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, komunave dhe profesionistëve shëndetësorë për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Ato shprehin gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, organizatat profesionale dhe akademike, si dhe me familjet, me synim rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




