temp image 254 temp image 254

Dëshmia e Zenije Morinës: Ramadan Morina është i pafajshëm

- Advertisement -

Dëshmitarja Zenije Morina, e cila ka qenë fqinj me të akuzuarin Ramadan Morinën për krime lufte, ka deklaruar në Gjykatë se ai është i pafajshëm dhe se familja e saj u befasua kur dëgjuan për arrestimin e tij.

Në seancën gjyqësore, Morina rrëfeu për largimin e familjes së saj nga Burimi dhe ngjarjet e vështira gjatë rrugëtimit drejt Shqipërisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Armend Zenelaj, ajo theksoi se gjatë luftës ishte larguar nga Burimi me familjen, fillimisht drejt Malishevës, e më pas në disa vendbanime deri në Shqipëri. “Gjatë kohës së luftës kam qenë në Burim, një natë kemi qëndruar…

Nga aty na kanë marrë, na kanë dërguar në Malishevë, në Malishevë na kanë vendosur në një kamion dhe na kanë dërguar në Zhur.

Krejt jemi larguar, granatat na binin, i kemi marrë fëmijët dhe jemi ikur.

Jemi dalë tre traktorë.

Me datën 29 mars kemi dalë,” tha ajo.

Ajo tregoi se në Vrellë, ku ishin strehuar rreth 500 banorë, policia serbe i kishte plaçkitur dhe më pas i kishte ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. “Në Vrellë, kur kemi qenë, na kanë plaçkitur policia serbe, na kanë ndarë, 100 metra pasi jemi larguar ata i kanë pushkatuar, i kemi dëgjuar që i kanë pushkatuar.

Një nga një i kanë ndarë nga krahu edhe neve na kanë thënë largohuni për në Shqipëri,” deklaroi ajo.

Dëshmitarja theksoi se kishte dëgjuar të shtënat pas largimit të tyre dhe se burrat ishin ndarë nga grupi i civilëve.

Zenije Morina foli gjithashtu për të akuzuarin, duke thënë se e njeh prej 14 vjetësh dhe se nuk ka dëgjuar asgjë që e lidhte atë me krimet për të cilat akuzohet. “I akuzuari pas luftës kanë thënë që është kthyer, por unë nuk e kam parë.

Shtëpitë i kemi me një rrugë.

Me familjarët e Ramadanit jemi takuar në Shqipëri kur kemi dalë si refugjatë.

Edhe pas luftës i kemi takuar gruan dhe fëmijët e tij.

Nga ne ky është i pafajshëm, ata çka e di unë, kanë shpif para luftës edhe pas luftës, nëse e kam parë, drejtësinë e Zotit kam ardhur me thënë. Është i pafajshëm.

Taksiat ka punuar, prej 14 vjetësh e njoh.

Na jemi çuditur kur kemi dëgjuar, jo nuk di kurrgjë unë për këtë punë.

Nuk kam dëgjuar asgjë për të, kur kemi dëgjuar për të jemi çuditur të gjithë kur e kanë arrestuar.

Burri është vrarë në Vrellë, vjehrra është vrarë ne shtëpi,” tha ajo.

Ramadan Morina akuzohet se më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet gjithashtu për shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullatës civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve që nuk ishin të përfshirë në luftë.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -