Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën, duke vlerësuar se vendi nuk ka shënuar përparim në funksionimin e gjyqësorit.
Raporti thekson se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të jetë një pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor.
Në raportin për Kosovën për vitin 2026, Komisioni Evropian konstaton se vendi ndodhet në një fazë të hershme dhe se është në një nivel të caktuar përgatitjeje për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave të njeriut.
Sipas raportit, ndikimi i papërshtatshëm nga brenda sistemit dhe faktorë të jashtëm, përfshirë interesat politike dhe ekonomike, vazhdon të jetë një pengesë e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit dhe në disa aspekte, madje është intensifikuar.
Komisioni vëren se pakoja e projektligjeve për sistemin e drejtësisë ende nuk është miratuar, duke penguar reformat e nevojshme në këtë fushë.
Kjo ka ndikuar negativisht në përpjekjet për të forcuar llogaridhënien dhe efikasitetin në gjyqësor dhe prokurori.
Raporti veçon edhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Më 6 tetor 2026, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin që rregullon këto institucione, por më 22 tetor, presidentja ia ktheu ligjin Kuvendit për rishqyrtim.
Komisioni Evropian shpreh shqetësime serioze rreth këtyre ndryshimeve, duke vlerësuar se ato mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
Në veçanti, përmenden pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësia e të drejtave procedurale dhe llogaridhënia efektive për krimet e luftës.
Shqetësime janë ngritur edhe për kushtetutshmërinë e ndryshimeve.
Një tjetër çështje e evidentuar në raport është zbatimi i ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Komisioni thotë se vështirësitë në zbatimin e këtyre ndryshimeve tregojnë për një perceptim të kufizuar të llogaridhënies dhe përkushtimit ndaj reformave, si dhe për ndikimin e vazhdueshëm të interesave të caktuara.
Shqetësime të veçanta janë ngritur për fletarrestimet e lëshuara në mënyrë retroaktive dhe zbatimin e procedurave e masave mbrojtëse përkatëse.
Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive, përfshirë përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e KPK-së, si dhe përputhjen me kornizën e ndryshuar ligjore.
Komisioni vlerëson se përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor mbetet një shqetësim serioz, pasi ndikon në karakterin shumëetnik të sistemit të drejtësisë dhe cënon Marrëveshjen e Dialogut të vitit 2015 për drejtësinë.
Rekomandimet për Kosovën për vitin e ardhshëm përfshijnë miratimin e legjislacionit që buron nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe konsultime të reja për projektligjet e rishikuara.
Po ashtu, kërkohet forcimi i mekanizmave ekzistues të integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor dhe prokurori, me theks të veçantë në përgjegjësitë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Komisioni rekomandon gjithashtu krijimin e një kornize të qartë të përgjegjësive për funksionet menaxhuese në këshilla, gjykata dhe prokurori, si dhe forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, rasteve të tjera të profilit të lartë dhe rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




