temp image 265 temp image 265

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën: Sfida dhe Përparime në Lirinë e Medias

- Advertisement -

Komisioni Evropian publikoi sot Raportin për Kosovën, ku vlerëson se vendi ka garanci ligjore të përshtatshme për lirinë e shprehjes, megjithatë, mjedisi për një funksionim të lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.

Raporti evidenton sulmet ndaj gazetarëve, presionin mbi mediat, krizën financiare të RTK-së dhe mungesën e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave.

Sipas raportit për vitin 2026, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste sulmesh fizike dhe verbale apo kërcënimesh ndaj gazetarëve, një rënie e dukshme krahasuar me vitin paraprak.

Raste të tilla përfshijnë pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe gjuha e ashpër nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti. “Gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.

Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin, ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian thekson se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga deklaratat që shënjestrojnë gazetarët dhe sulmet ndaj tyre duhet të dënohen.

Gjatë kësaj periudhe, një kameraman është arrestuar dhe disa persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve, duke përfshirë ngacmime në internet dhe publikimin e të dhënave personale.

Sipas raportit, Kosova ende nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin e saj me standardet evropiane për lirinë e shprehjes dhe mediat, duke kërkuar përpjekje të mëtejshme për një kornizë të plotë dhe koherente rregullatore për mediat online.

Komisioni vëren se Ligji për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve ende nuk janë miratuar, dhe gjithashtu kërkohet harmonizimi i Ligjit për shpifjen civile.

Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, raporti kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane.

Një zhvillim pozitiv i evidentuar është funksionalizimi i bordeve të RTK-së dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.

Megjithatë, procesi i emërimeve është kritikuar për mungesë transparence dhe parregullsi.

Në aspektin financiar, RTK-ja po përballet me një krizë të thellë financiare, e cila është lehtësuar pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt 2026.

Megjithatë, nuk ka pasur progres në krijimin e një modeli të qëndrueshëm të financimit.

Buxheti vazhdon të jetë i kufizuar, me 75 për qind të tij që shpenzohet për paga.

Raporti po ashtu thekson se mediat e pavarura, veçanërisht ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, vazhdojnë të kenë mungesë financimi të mjaftueshëm.

Gazetarët përballen me vonesa dhe pengesa në qasjen në dokumente publike, dhe mediat në gjuhën serbe hasin vështirësi në marrjen e informacionit për shkak të zbatimit jo të duhur të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Komisioni vëren se liria e shprehjes për serbët e Kosovës mbetet nën presion, ndërsa zbatimi i rregullave kundër nxitjes së urrejtjes është i pabarabartë.

Kushtet e punës për gazetarët vazhdojnë të jenë të vështira, me pagat e ulëta dhe statusin e pasigurt ligjor.

RTK-ja është i vetmi medium me sindikatë, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të mbështesë gazetarët në kushtet e financimit të kufizuar.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -