Koreja e Jugut dhe Turqia nënshkruan të martën një marrëveshje për të shqyrtuar mundësitë e financimit të projekteve energjetike në Turqi.
Seuli ka shprehur interesin për të marrë pjesë në ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Turqisë, që është planifikuar të ndërtohet në Sinop, në bregdetin e Detit të Zi.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Banka e Eksport-Importit e Koresë së Jugut dhe kompania turke Turkey Nuclear Energy Inc., pas bisedimeve mes presidentit koreano-jugor, Lee Jae Myung, dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Seul.
Sipas Ministrisë turke të Energjisë, të dyja institucionet do të shqyrtojnë mundësitë e financimit dhe do të krijojnë një grup të përbashkët pune për shkëmbimin e informacioneve.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk është bërë e ditur shuma e mundshme e financimit.




