Tifozët e Tenerifes kanë organizuar homazhe tepër prekëse për futbollistin Jesus de Miguel, i cili ka ndërruar jetë, duke tronditur klubin dhe tërë komunitetin e futbollit spanjoll.
Porta 9 e stadiumit “Heliodoro Rodríguez López” është shndërruar në një vend përkujtimi, ku tifozët kanë vendosur lule, qirinj, fanella dhe mesazhe emocionuese për nder të futbollistit që u nda nga jeta shumë herët.
Mesazhet e lëna nga tifozët shprehin dhimbjen për humbjen e një lojtari që ishte bërë pjesë e historisë së klubit dhe që shpresonin ta shihnin edhe për shumë vite me fanellën bardheblu.
Një prej mesazheve që tërhoqi vëmendjen ishte: “Vazhdo të shënosh gola në parajsë”, një dedikim prekës që përmbledh dashurinë dhe respektin e tifozëve për futbollistin.
Në homazhe morën pjesë tifozë të të gjitha moshave, nga ata që e kanë ndjekur Tenerifen për dekada, deri te të rinjtë që mbanin fanella me emrin e Jesúsit.
Breza të ndryshëm u bashkuan në dhimbjen për humbjen e tij.
Në orën 18:00, me thirrjen e federatës së tifozëve, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.
Pa brohoritje dhe pa fjalë, ata kujtuan futbollistin, përpara se heshtjen ta pasonin duartrokitjet e gjata në shenjë respekti.
Një letër e vendosur mes luleve përmbante edhe një mesazh tjetër emocionues: “Emri yt do të jetë përgjithmonë i lidhur me atë ngjitje në kategori, me atë ëndërr të përbashkët dhe me një familje Tenerife që sot vajton humbjen tënde”.




