Zyra presidenciale e Koresë së Jugut organizoi një takim urgjent të martën, pas publikimit të të dhënave personale që i përkasin presidentit Lee Jae-myung dhe 167 personave të tjerë që e shoqëronin atë gjatë një udhëtimi jashtë vendit, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.
Takimi, i drejtuar nga shefi i stafit presidencial Lim Kwang-hyun, u zhvillua pas raportimeve se një skedar me të dhënat personale të delegacionit presidencial ishte ngarkuar në një faqe interneti të hapur për publikun, në muajin qershor.
Informacionet e ekspozuara përfshinin datat e lindjes dhe numrat e pasaportave.
Ndër personat e prekur ishin Zonja e Parë, ndihmës të lartë presidencialë, ministra të qeverisë, zyrtarë të sigurisë dhe gazetarë.
Lee mori detyrën në qershor, pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale që ndodhën për shkak të shkarkimit të ish-Presidentit Yoon Suk-yeol, i cili shpalli ligjin ushtarak në dhjetor të vitit 2024 – një vendim që u konsiderua jetëshkurtër.
Lim e vlerësoi këtë shkelje si një ‘incident serioz’ dhe urdhëroi një hetim për të përcaktuar përmasat e saj, dëmet e mundshme dhe personat përgjegjës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Park Doo-soon, theksoi se autoritetet po kryejnë kontrolle teknike në kompjuterët dhe llogaritë e emailit që lidhen me udhëtimin e muajit qershor.
Ministria ka siguruar heqjen e të dhënave të publikuara nga faqja e internetit dhe po verifikon nëse ka pasur ekspozime të tjera.
Autoritetet janë gjithashtu duke punuar për zëvendësimin e pasaportave për të gjithë personat e prekur, përfshirë presidentin dhe Zonja e Parë.




